Home > Mekanizmi i koordinimit vendor
Mekanizmi i koordinimit vendor

MKV ka mundësuar paraqitjen e propozimeve të Programit të HIV/AIDS dhe TBC, në Fondin Global në vitin 2004, dhe, megjithëse propozimi nuk qe i suksesshëm, përgjigjet dhe komentet e Fondit Global çuan në paraqitjen e kërkesave të tjera më vonë. Në këto kërkesa ishin marrë parasysh edhe rekomandimet për përmirësimin e dobësive, të cilat qenë identifikuar në propozimet e para. Gjate kësaj kohe MKV ka punuar në bazë të këtyre rekomandimeve.

Në nëntor 2004, Fondi Global publikoi Udhëzimet e Rishikuara për Qëllimin, Përbërjen dhe Strukturën e Mekanizmave Koordinues për Vendin dhe Kushtet për Paraqitjen e Kërkesave. Disa prej tyre nënvizoheshin si kushte që vlenin duke filluar nga raundi i pestë dhe për kërkesat për fonde duke filluar nga data 1 qershor 2005. Në kushtet e këtyre kërkesave, janë përpiluar dhe miratuar edhe termat e referencës për MKV-në. Në përgjithësi, termat e referencës mbështeten në strukturat dhe praktikën ekzistuese të MKV-së dhe kane për qëllim zbatimin e udhëzimeve të Fondit Global në kohën e duhur dhe mënyrë të strukturuar.

Ndonëse MKV u krijua për të bërë të mundur paraqitjen e kërkesës për fonde në Fondin Global për Luftën kundër  HIV/AIDS dhe TBC-së, funksionet e tij janë më të gjera se ato të programit të mbështetur nga Fondi Global.  Funksionet e tij përfshijnë:

  • Koordinimin e përgjigjes kombëtare ndaj HIV/AIDS dhe TBC-së në Shqipëri.
  • Sigurimin e kushteve për të mundësuar shkëmbimin e informacionit mes Programeve Kombëtare për HIV/AIDS dhe TBC dhe programeve të ngjashme, përfshirë edhe programin e Fondit Global dhe marrjen e kontributeve përkatëse nga palët e tjera të interesuara.
  • Sigurimin e një forumi ku të mund të marrin pjesë struktura të ndryshme, në përgatitjen dhe shqyrtimin e kundërpërgjigjes kombëtare për HIV/AIDS dhe TBC-në.
  • Marrjen e vendimeve të përbashkëta për programet që do të zbatohen, duke përfshire hartimin e propozimeve dhe kërkesave për vazhdimësinë e financimit nga Fondi Global dhe përzgjedhjen e agjencive zbatuese për të administruar grantet.
  • Mbikëqyren dhe monitorimin e programeve që janë pjesë e kundërpërgjigjes kombëtare, të ngjashëm me programin e mbështetur nga Fondi Global.

MKV raporton përpara Ministrisë së Shëndetësisë dhe mund të përfaqësojë interesat e veta në përputhje me udhëzimet përkatëse. Përgjigja kombëtare ndaj HIV/AIDS përfshin shumë palë të tjera të interesuara krahas atyre shtetërore. MKV ka përfaqësues nga shumë organizata, gjë që mundëson një shkëmbim të gjerë të ideve dhe informacioneve.

Grupi Tematik i OKB-së bashkërendon punën e bërë nga agjencitë e OKB-së dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe përfaqësohet pranë MKV-së nga kryetari i Grupit.

Mekanizmi Koordinues Per Vendin, Rinovimi I Anetaresise MKV & Manuali Politikave Te Qeverisjes (PDF)