
Ne datat 18-21 Maj , Tirana është bërë mikpritëse e Akademisë së TBnet 2025, një aktivitet vjetor i organizuar nga TB Net në vende të ndryshme Europiane me qëllim zhvillimin e specialistëve të rinj në fushën e Tuberkulozit. Ky aktivitet u mbështet nga Spitali Rajonal Universitar “Shefqet Ndroqi”, Programi Kombëtar i Tuberkulozit në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri.
Kjo akademi katërditore mblodhi së bashku rreth 60 profesionistë të rinj dhe ekspertë nga mbi 15 vende, për të diskutuar dhe shkëmbyer njohuri mbi sfidat dhe përparimet më të fundit në diagnostikimin, trajtimin dhe parandalimin e tuberkulozit. Aktiviteti u zhvillua ne ambientet e Spitalit Rajonal Universitar “Shefqet Ndroqi” në Tiranë. Pjesëmarrësit përfaqësuan vende si: Shqipëria, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Portugalia, SHBA, Italia, Danimarka, Zvicra, Spanja, Moldavia, Ukraina, Belgjika, Letonia, Greqia, Gjeorgjia, etj.
Programi i pasur përfshin:Ligjërata kyçe mbi TB-në asimptomatike, TB-në dhe migracionin, sëmundjet pulmonare post-TB dhe strategjinë globale End TB Prezantime dhe diskutime nga pjesëmarrësit mbi epidemiologjinë, diagnostikimin, terapinë, TB-në pediatrike dhe sëmundjet NTM , Vizita në laboratorin e TB-së dhe sesione praktike në Qendrën Spitalore Rajonale të Tiranës Trajnime mbi planifikimin e karrierës kërkimore, botimet shkencore dhe komunikimin profesional
Një veçanti e këtij edicioni është përfshirja e sesionit UNITE4TB @ Albania, një hapësirë bashkëpunimi që shënon përparimin në kërkimin shkencor mbi TB-në në nivel europian. Pjesëmarrja aktive e profesionistëve të rinj nga Shqipëria është një dëshmi e angazhimit në rritje për përmbushjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare për Tuberkulozin dhe angazhimet e Shqiperisë si pjesë e deklaratës së UNHLM për End TB.
Kjo eksperiencë do të shërbejë në përmirësimin e mënyrës së diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes së të sëmurëve me tuberkuloz, sipas protokolleve të përbashkëta europiane.
Përveç programit shkencor, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me kulturën shqiptare, të shijojnë kuzhinën tradicionale dhe të forcojnë marrëdhëniet profesionale dhe personale. Darka e lamtumirës ishte një moment veçanërisht i këndshëm, që pasqyroi mikpritjen dhe shpirtin e ngrohtë të organizatorëve.
Shume mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan në realizimin e këtij aktiviteti kaq të vlefshëm dhe frymëzues .
Axhenda e eventit të Akademisë TBnet 2025 (PDF)
Akademia TBnet është një nismë arsimore në kuadër të rrjetit TBnet, i cili bashkon klinicistë, studiues dhe ekspertë të shëndetit publik të angazhuar në studimin dhe kontrollin e tuberkulozit (TB) në Evropë dhe më gjerë. Qëllimi i Akademisë është të trajnojë brezin e ardhshëm të specialistëve të TB-së, duke ofruar një platformë për shkëmbim njohurish, bashkëpunim kërkimor dhe zhvillim profesional.
Takimi i fundit i Akademisë TBnet i zhvilluar në Shqipëri ishte një sukses i madh. Ai mblodhi së bashku profesionistë të rinj dhe ekspertë nga vende të ndryshme për të diskutuar zhvillimet më të fundit në diagnostikimin, trajtimin dhe kërkimin shkencor mbi TB-në. Programi përfshinte punëtori interaktive, diskutime rastesh dhe prezantime që inkurajuan pjesëmarrje aktive dhe mësim të ndërsjellë.
Një nga momentet më të rëndësishme të aktivitetit ishte pjesëmarrja e Ministres së Shëndetësisë së Shqipërisë, Znj.Albana Kociu e cila theksoi angazhimin kombëtar për kontrollin e TB-së dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në këtë fushë. Kënaqësi të ishim pjesë e Akademisë Ndërkombëtare të Tuberkulozit, që për herë të parë u mbajt në Shqipëri, në Qendrën Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe profesionistëve nga e gjithë bota.
Një event i rëndësishëm ndërkombëtar, që vlerëson kontributin e mjekëve tanë dhe forcon bashkëpunimin në luftën kundër tuberkulozit.
Akademia synon të fuqizojë kapacitetet profesionale të brezit të ri të mjekëve dhe kërkuesve shkencorë, përmes shkëmbimit të njohurive, trajnimeve dhe praktikave më të mira europiane në diagnostikim, trajtim dhe menaxhim të TB.