Home > Te drejtat e njeriut
Te drejtat e njeriut

Problemet e HIV / AIDS dhe aspektet e trajtimit të tyre shumëdimensionale janë ende dukuri e re në Shqipëri. Shërbimet multisektoriale për PJHA, anëtarët e familjeve të tyre ku përfshihen shërbimet e standartizuara për kujdes shëndetësor, psiko-sociale, mbështetëse , edukative , juridike dhe sistemet e referimit, informimi rreth sëmundjes, lehtësimi i problemeve financiare për familjet e fëmijëve, trajtimin e rasteve të braktisjes, të kujdesit në fund të jetës, pothuajse mungojnë tërësisht. Pengesë kryesore mbetet stigma dhe diskriminimi ndaj PJHA, që ndikon në vonesën në testimin për HIV, diagnozë të vonë dhe qasjen në kujdes. Tërësia e këtyre problematikave mbetet përgjegjësi, barrë dhe angazhim i institucioneve shëndetësore, të shërbimeve sociale dhe ato të pushtetit lokal që kërkojnë zgjdihje.

Në Shqipëri, janë evidente rastet e braktisjes, izolimit social, përballjes me stigmën dhe diskriminimin në të gjitha nivelet e shoqërisë. PJHA përballen me papunësinë ose riintegrimin profesional, probleme financiare si pasojë e infektimit me HIV/AIDS, të shumfishta këto në rastet kur infeksioni prek më shumë anëtarë të familjes.

Problemet e stigmës dhe diskriminimit lidhur me statusin e fëmijëve HIV pozitiv dhe atyre jetimë pë shkak të AIDS-it, përbëjnë një nga sfidat e integrimit social të tyre. Frika nga bashkëjetesa me ta, u “mohon” të drejtat qytetare për pjesëmarrje në institucionet e arsimit; siç janë çerdhet,kopshtet dhe shkollat 9-vjeçare, në ato raste kur anonimati dhe konfidencialiteti rreth statusit të tyre shëndetësor nuk ruhet.

Ende mungojnë studime me anë të të cilave të synohet të matet dhe vlerësohet niveli i stigmës dhe diskriminimit nëpërmjet një sistemi monitorimi dhe vlerësimi në fushat prioritare si kujdesi shëndetësor, edukimi, mbështetja sociale dhe psikologjike, punësimi, aspektet ligjore, stigma dhe diskriminimi, si dhe kushtet social ekonomike në grupin e personave HIV pozitiv.

Megjithatë, në sajë të fushatave të ndërgjegjësimit dhe avokimit, janë bërë prezente shumë problematika që kërkojnë zgjidhje afatgjata dhe qëndrueshmëri institucionale, të cilat duhet të vënë në qendër të mirëqenies së përgjithshme dhe garantimit të të drejtave njerëzore të PJHA , në lidhje me të drejtën e tyre për shëndet, shkollim, punësim, mbështetje, dhe përfshirje. Mungesa e informacionit, frika dhe stigma lidhur me këtë virus mungesa e modeleve rregulluese e sistemeve të mbështetjes dhe kujdesit, kanë qenë faktorë kyç për të plotësuar nevojat themelore të PJHA, të shoqëruar shpesh nga diskriminimi, paragjykimi, dhe mungesa e qasjes së barabartë ndaj tyre dhe për ofrimin e shërbimeve të duhura .

Dokumentat